Hadithi

Me termin hadis ose hadith (arabisht أحاديث ,حديث = hadīth, shumës ahādīth = ḥadīṯ, shumës aḥādīṯ = njoftim, tregim, rrëfim) cilësohen lajmet e trashëguara në fenë islame si me karakter profan (laik, jofetwasdar) ashtu edhe fetar. Në kuptimin islamiko-fetar ky term cilëson trashëgiminë mbi Muhametin, mbi udhëzimet e tij, veprimet e tij të denja për t'u imituar, vlerësimet e veprimeve të të tjerëve, rekomandimet dhe para së gjithash ndalimet dhe paralajmërimet moralo-fetare që nuk i përban kurani. Tërësia e gjithë kësaj trashëgimie me karakterin e saj normativ përbën sunna-n (sunnetin) e profetit duke qenë kështu pjesë e ligjeve fetare në fenë islame; sunna është pas kuranit burimi i dytë i jurisprudencës islamike (fikh).

Si term kuranik hadith-i është edhe zbulesë e zotit:

Zoti ka dërguar zbulesën më të mirë [1] (që mund ta marrë mendja), një shkrim që përsëritet vazhdimisht njësoj…
– sure 39, vargu 23

Trashëgimia islamike përdor si sinonim (duke u bazuar në përmbajtjen e vargut të mësipërm të kuranit) termin kalām („të folur“, „shprehje“) duke e cituar profetin si vijon: „ligjërata më e mirë (kalām) është ligjërata e zotit (kalāmu ʾllāh) dhe udhërrëfyesi më i mirë (për besimin) është udhërrëfyesi i Muhametit.

Ajo trashëgimi, e cila përmban shprehje dhe vepra të bashkëluftëtarëve (sahaba) të profetit, mund të ketë (ashtu si hadith-i) karakter direktiv dhe të jetë me rëndësi për rregulla rituale dhe vendime juridiko-ligjore. Në këtë rast për të nuk përdoret termi hadith por arabisht آثار أثر = athar, shumës āthār = aṯar, shumës āṯār = gjurmë, shenjë që lihet pas dhe që vetëm në kuptimin figurativ do të thotë: traditë, trashëgimi sipas bashkëluftëtarëve të profetit. Por shpesh këto dy terma hadith dhe athar janë të këmbyeshëm me njëri-tjetrin.

  1. ^ Allāhu nazzala aḥsana ʾl-ḥadīṯi...

© MMXXIII Rich X Search. We shall prevail. All rights reserved. Rich X Search