Kisha Ortodokse Lindore

Simbol monogram paleokristian

Fjala Kisha ortodokse e Lindjes ose Kishë ortodokse nënkupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, që besojnë në Jesu Krishtin, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në Mbretërinë Qiellore.

Emërtimi "ortodoks" ose "orthodhoks" (nga greq. oρθός, orthos, "i drejtë", dhe δόξα, dhóksa, "lavdi", "mendim, mësim, besim") - fjalë për fjalë "besimi i drejtë, i vërtetë". Rreth kuptimit të parë, tradita kishtare shton edhe një të dytë, që plotëson te parin: atë të "lavdërimit/adhurimit të drejtë".

Krishterimin e hershëm, ky term përdorej për të treguar besimin e vërtetë, duke e dalluar nga herezitë apo skizmat. Kishë Ortodokse pra, quheshin ato Kisha (Komunitete të krishtera) që nuk largohen nga besimi i drejtë, në kundërshtim me Kishat heterodokse, skizmatike dhe heretike. Megjithatë, historikisht, vetëm Kishat Lindore të traditës bizantine ia kanë atribuar vetes në mënyrë përkufizuese cilësimin Ortodoks. Këto Kisha janë ato që mbajnë ritin bizantin dhe janë të rregulluara në jetën e tyre sakramentale dhe disiplinore, pa devijime, nga Kanonet e Shenjta, pra nga kanonet (rregullat) e dala drejtpërdrejt ose thjesht të përforcuara nga ana e shtatë Sinodeve (Koncileve ose Këshillave) Ekumenike (Universale) të mijëvjeçarit të parë të krishterë. [1]

Në mijëvjeçarin e parë (shek.I - shek.XI) në Lindje dhe në Perëndim kemi Një Kishë unike, të vetme, me të njëjtën doktrinë besimi, thjesht të ndarë në juridiksione administrative. Emërtimi "Ortodoksi" u përdor edhe më tepër pas Skizmës së Madhe në vitin 1054, për të dalluar Kishën Lindore nga Kisha Perëndimore. Kishë quhet edhe tempulli ku mblidhet për të adhuruar Komuniteti ortodoks, që për ta dalluar ortografikisht shkruhet me “k” të vogël.

  1. ^ Basilio Petra, Kisha e Etërve - Hyrje e shkurtër në Ortodoksi, Logos, Tiranë, 2007, fq.11-12.

© MMXXIII Rich X Search. We shall prevail. All rights reserved. Rich X Search